Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së opozitës që po mbahet mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Tubimi i konceptuar si mosbindje civile me akte të dhunshme drejt Kryeministrisë, ministrive, Parlamentit, Bashkisë së Tiranës dhe selisë së PS, është pasqyruar nga Washington Post, ABCNEWS, Associated Press etj.

Artikulli i AP
Forcat opozitare në Shqipëri po mbajnë një protestë mbarëkombëtare në kryeqytetin e vendit duke kërkuar që qeveria të zëvendësohet nga një kabinet kujdestar teknokratik përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Opozita konservatore akuzon qeverinë e majtë për manipulim të votimeve të mëparshme dhe për uzurpim të pushteteve, përfshirë atë të gjyqësorit. Partia Demokratike e ish-kryeministrit Sali Berisha protestoi në Kuvend javën e fundit pasi një koleg i tyre u dënua për shpifje dhe u burgos, vendim të cilin PD e cilësoi si të motivuar politikisht.

Ervin Salianji në vitin 2018 kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të atëhershëm për akuzat për veprimtari të paligjshme të vëllait të tij që më pas rezultuan të sajuara. Salianji, i cili filloi të vuante dënimin me një vit, më shumë se një javë më parë, ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.

Demokratët fajësojnë kryeministrin Edi Rama të Partisë Socialiste të majtë në pushtet për manipulimin e votimeve të mëparshme. Ata kanë akuzuar prej kohësh socialistët e Ramës për uzurpim të pushtetit, përfshirë drejtësinë, dhe kanë organizuar protesta të dhunshme kundër qeverisë që nga viti 2013.

Demokratët bëjnë thirrje gjithashtu për lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak, i cili u vu nën një hetim për korrupsion të dyshuar.

Opozita ka bërë thirrje për mosbindje civile, duke nisur protestën me një tubim para godinës kryesore të qeverisë, ku nuk do të ketë fjalime, e më pas duke e zgjatur atë duke bllokuar qarkullimin në kryqëzimet kryesore të Tiranës.

Një gomë automjeti është djegur para zyrës presidenciale, jo shumë larg zyrave kryesore të qeverisë. Qindra oficerë policie, të pajisur me maska kundër gaz, kanë zënë pozicione për të mbrojtur institucionet kryesore të qeverisë. Policia ka thënë se trafiku është bllokuar në shumë rrugë në qendër të Tiranës. Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg protestës. Shqipëria zhvillon zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar opozitës të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në bllokun 27-vendesh. Në vitin 2020, BE vendosi të nisë negociatat e anëtarësimit të plotë me Shqipërinë dhe në fund të këtij muaji Tirana do të nisë diskutimet me bllokun se si do të përafrohet me shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit./BalkanWeb