Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), Sergey Naryshkin, pretendoi se SHBA-ja dhe Britania janë të përfshira drejtpërdrejt në shpërthimet në tubacionet e gazit natyror të linjës Nord Stream.

Naryshkin foli në takimin e krerëve të shërbimeve të sigurisë të vendeve anëtare të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS) të mbajtur në kryeqytetin Moskë.

Duke iu referuar shpërthimeve që ndodhën në vitin 2022 në tubacionet e gazit natyror Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, Naryshkin tha:

"SVR-ja ka informacione se SHBA-ja dhe Britania janë të përfshira drejtpërdrejt në këtë sulm të madh terrorist. Sipas informacioneve të marra, sabotuesit profesionistë nga shërbimet inteligjente anglo-saksone janë përfshirë në organizimin, përgatitjen dhe zbatimin e këtij aksioni".

Naryshkin iu referua situatës në rajonin e Euroazisë dhe deklaroi se Perëndimi dëshiron të destabilizojë situatën në këtë rajon. "Sipas informacioneve të marra, pas përfundimit të konflikteve në Ukrainë, militantët e mbijetuar do të përdoren për të destabilizuar situatën në rajonin e Euroazisë"./aa