Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë shpenzoi gati 8 mijë euro për të blerë lule “Çiklaminë” për studentët në vitin e ri akademik.

Institucioni i arsimit të lartë dorëzoi në Agjencinë e Prokurimit Publik tre procedura tenderuese ku bleu në total 1 mijë e 800 lule të vendosura në vazo me lartësi 18 cm.

Po për mirëpritjen e studentëve, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja që ndodhet në në njëjtën godinë me atë të Historisë dhe Filologjisë shpenzoi rreth 3 mijë euro për blerje të materialeve promovuese. Në tre procedura të ndryshme tenderuese u blenë gjithsej 200 udhërrëfyes dhe 1 mijë e 800 broshura.

Për të njëjtin qëllim shpenzoi edhe Fakulteti i Shkencave Pyjore. Institucioni i arsimit të lartë në varësi të Universitetit Bujqësor të Tiranës pagoi mbi 2 mijë euro për blerjen e 800 fletëpalosjeve, 200 çantave dhe po aq bluzave.

Nga pagat e pedagogëve te siguria e godinës, shpërblimet e honorarët apo dietat dhe udhëtimet, shtatë universitetet publike më të mëdha në vend shpenzuan plot 32.2 milionë euro në vitin akademik 2022-2023.

Në emër të çdo studenti të regjistruar në këto gjashtë universitete, vjet u shpenzuan mesatarisht 449 euro, nivel ky ndjeshëm më i ulët se në vendet e Rajonit e Europës drejt së cilës Shqipëria synon të shkojë./Tema