onedha evropiane ka vijuar të këmbehet me më pak se 100 lekë edhe në javën e parë të tetorit, por duke fituar një farë qëndrueshmërie dhe një prirje më të lehtë rënëse në krahasim me muajin shtator.

Gjatë shtatorit, kursi i këmbimit është karakterizuar nga një rënie e vazhdueshme e euros kundrejt lekut. Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, monedha evropiane e filloi muajin me një normë prej 99.81 lekësh dhe gradualisht u dobësua, duke arritur në nivelin më të ulët prej 98.77 lekësh në fund të shtatorit. Kursi i këmbimit ka shfaqur një rikuperim të lehtë në fillim të muajit aktual, duke u stabilizuar në rreth 98.82 lekë.

Nga këto shifra rezulton se gjatë periudhës pesëjavore kemi pasur një rënie me rreth 1 lekë të këtyre vlerave, fakt që tregon një trend më të qëndrueshëm nënçmimi të euros në raport me lekun. Nga data 1 tetor deri më sot, kursi i këmbimit luhatet në rreth 98.82 lekë duke gjetur kështu një ekuilibër të përkohshëm pas rënies së mëparshme.

Zhvlerësimi i euros gjatë shtatorit ishte pasojë e drejtpërdrejtë e flukseve të larta të euros në treg nga sezoni turistik veror. Vetëm gjatë muajit gusht, në Shqipëri erdhën rreth 1.9 milionë shtetas të huaj, ndërsa që prej janarit numërohen rreth 8.5 milionë vizitorë të huaj.

Me fillimin e tetorit, duket se është zbehur edhe efekti sezonal që sjell luhatjen e monedhave./Scan