Çdo vit në Shqipëri do lejohet të importohet vetëm një sasi e caktuar frigoriferësh apo kondicionerësh. Kjo, pasi këto pajisje përmbajnë gaze të fluoruara, që janë gaze me efekt serrë dhe kanë ndikim të lartë negativ në ngrohjen globale. Vendi ynë është angazhuar në reduktimin e tyre, teksa vitin e kaluar u miratua edhe ligji që parashikohen edhe gjoba, në rast të shkeljes së kuotave të lejuara.

Ndërkaq, kompanitë importuese të këtyre pajisjeve, ku përfshihen edhe pompat e nxehtësisë apo sistemet e mbrojtes nga zjarri do të jenë në “garë” për të prenotuar sasinë që do të fusin në treg.

Përmes një projektvendimi të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përcaktohet se për sipërmarrësit e vjetër do të ndahet 80% e kuotës vjetore, 10% do të ndahet për sipërmarrësit e rinj, ndërsa 10% do të lihet si kuotë rezervë. Aplikimi për kuotën vjetore të importit do të kryhet nga data 1 shtator deri në datën 30 nëntor të çdo viti, në portalin unik qeveritar e-Albania, duke e shoqëruar me një sërë dokumentesh që listohen në projektvendim.

Më herët, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nxorri për konsultim publik edhe një tjetër dokument, ku  specifikohej se sipërmarrësit që importojnë, eksportojnë, magazinojnë, hedhin në treg apo mirëmbajnë pajisje që përmbajnë gaze me efekt serrë të fluoruara do të duhet të licencohen për të ushtruar aktivitetin./Scan