Administrata tatimore do të aplikojë kritere të reja risku që synojnë të evidentojnë shmangien e deklarimit dhe pagesës së TVSH nga bizneset në disa sektorë.
Kriteret do të marrin për bazë disa elementë të ndryshëm, si numër i lartë punonjësish, blerje mbi kufirin e TVSH-së, qarkullim të deklaruar në mënyrë të vijueshme në kufi të pragut pa e kaluar atë, do aplikohen nga administrata tatimore në sektorë të caktuar.
Nga ana tjetër pritet të ndryshojë dhe procedura që ndiqet për deklarimin e TVSH-së.
Duke qenë se fiskalizimi si reforma më madhore e implementuar nga administrata tatimore gjatë viteve të fundit ndryshoi rrënjësisht mënyrën e faturimit, duke sjellë faturimin dhe deklarimin pranë tatimeve në kohë reale, tashmë po punohet më tej për konsolidimin e procesit të fiskalizimit. Konkretisht, parashikohet të bëhet funksional një moduli risku vetëm për ketë proces dhe zhvillimin e raporteve Business Intelligent që do ndihmojnë në një gjurmim më të lehtë dhe më efikas të subjekteve mospërmbushës ndaj detyrimit të TVSH-së.
Administrata tatimore ka mundësuar parambushjen dhe deklarimin automatik të librave të shitjes dhe blerjes si dhe në të ardhmen e shpejtë synon parambushjen dhe deklarimin automatik të deklaratës së TVSH-së.
Parambushja e deklaratës së TVSH parashikohet të bëhet brenda vitit 2026 dhe me këtë proces mbyllet cikli i deklarimit automatik që nga faturimi deri në deklarimin final të TVSH-së, duke bërë të mundur që kështu administrata tatimore të disponojë në kohë reale ecurinë e deklarimit të TVSH-së për çdo tatimpagues./Scan