Rreth 312 mijë shtetas shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet jashtë territorit të vendit me mjetet e tyre personale, kanë marrë kartonin jeshil. Kjo tendencë tregon një rritje të dukshme në numrin e shqiptarëve që preferojnë të udhëtojnë me automjetin e tyre, një vendim që ka sjellë përfitime të ndjeshme për sektorin e sigurimeve.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë e sigurimeve kanë arritur të rrisin të ardhurat e tyre gjatë 8-mujorit të parë të vitit me 1.86% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në total, primet e shkruara bruto përmes kartonit jeshil arritën në një shifër 1.25 miliardë lekësh. Këto të dhëna mbështeten edhe nga shifrat e Institutit të Statistikave, i cili tregon se, gjatë periudhës janar-gusht, numri i daljeve të shqiptarëve nga territori i vendit ka arritur në 5.3 milionë.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit është rritur me 700 mijë. Nga ana tjetër garancia që pronari i automjetit duhet të paguajë për dëmet që mjeti i tij mund të shkaktojë jashtë shtetit ku është regjistruar është rreth 40 euro.
Duke e llogaritur këtë nëpërmjet një formule të thjeshtë, që kombinon totalin e primeve bruto me daljet e shqiptarëve nga territori, rezulton se 312 mijë nga 5.3 milion shtetas të dalë janë pajisur me kartonin jeshil, një dokument kyç për udhëtimet e sigurta jashtë vendit./Tema