Pavarësisht luhatjeve të kursit të këmbimit dhe impaktit që ky i fundit ka për paratë që qytetarët dhe bizneset kanë në sektorin bankar, nga statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë rezulton se depozitat dhe kreditë në euro të individëve dhe bizneseve kanë pësuar rritje gjatë muajit gusht.

Zakonisht, zhvlerësimi i monedhës evropiane mund të dekurajojë mbajtjen e depozitave në euro, pasi individët dhe bizneset me depozita në valutë të huaj do të kenë një ulje të vlerës së depozitave nëse i konvertojnë ato kursime në lekë.

Por pavarësisht këtij fakti, shifrat tregojnë se totali i depozitave në euro nga individët dhe bizneset ka pësuar një rritje të lehtë prej 2.3% në fund të muajit gusht. Konkretisht, vlera e depozitave në euro u rrit nga 5.6 miliardë që ishte në muajin korrik, në 5.7 miliardë lekë. Nga ana tjetër, edhe depozitat në euro të bizneseve shënuan një rritje me 9.2% në fund të gushtit, duke e cuar vlerën totale të depozitave nga 1.5 miliardë në 1.6 miliardë lekë.

Në kushte normale, forcimi i lekut mund të stimulojë depozitat në monedhën vendase, por në muajin gusht depozitat në lekë kanë regjistruar një rënie të lehtë për të dyja kategoritë.

Për sa i përket kredive, shifrat flasin për një rritje me 5% të huave të reja në euro të marra nga individët dhe një rritje me 107% të kredive në euro të marra nga bizneset. Kështu, totali i huasë në euro ka arritur nga 9.7 miliardë lekë në 20 miliardë për bizneset në fund të gushtit, ndërsa për individët nga 1.3 miliardë në 1.4 miliardë lekë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kursi i këmbimit të euros ndaj lekut luhatej midis nivelit maksimal prej 100.21 lekë në javën e parë të gushtit dhe nivelit më të ulët prej 99.60 lekë në mes të muajit. Gjatë gjithë gushtit, euro pati luhatje të vogla, por të qëndrueshme kundrejt lekut, duke treguar një rënie të lehtë të përgjithshme deri në fund të muajit gusht./Scan