Protesta e mbajtur ditën e djeshme në Tiranë, është pasqyruar edhe nga mediat greke.

Protothema shkruan se protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie të përkohshme që do ta çojë Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.

Artikulli:
Përleshjet shpërthyen mbrëmjen e së hënës në Tiranë gjatë një demonstrate të mbështetësve të opozitës që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke plagosur 10 policë dhe të paktën tre protestues.
Mijëra demonstrues iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike dhe u mblodhën në kryeqytetin shqiptar. Përplasjet e para shpërthyen kur protestuesit u përpoqën të thyenin kordonin e policisë jashtë ndërtesave qeveritare, duke përdorur kokteje molotov. Më pas turma shkoi drejt selisë së Partisë Socialiste të Ramës, ku i vunë flakën portës së jashtme dhe dogjën një poster të kryeministrit.
Protestues të tjerë vandalizuan ndërtesën e ministrisë së brendshme dhe një stacion autobusi, duke i vënë flakën kazanëve të plehrave.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe formimin e një qeverie të përkohshme që do ta çojë Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.
“Ne do të vazhdojmë aksionet e mosbindjes civile derisa Rama të japë dorëheqjen”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike (PD), Flamur Noka.
Javën e kaluar, deputetët e PD-së hodhën karriget e tyre jashtë Parlamentit dhe ndezën zjarre në shenjë proteste ndaj dënimit me një vit burg të dhënë kolegut të tyre Ervin Salianji. Opozita shqiptare e konsideron “një akt hakmarrjeje dhe terrorizmi politik”, për të cilin quan përgjegjës kryeministrin Edi Rama./BalkanWeb