PD u shpreh sot se prej 19 marsit, Ministria e Financave pa asnjë lajmërim, nuk publikon transaksionet e thesarit.
Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Marinela Ziu u shpreh sot në një deklaratë për mediet se shqiptarët e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë.
“Listës së kontratave koncesionare e prokurimeve publike që nuk publikohen e ligjeve e vendimeve të Këshillit të Ministrave që publikohen me vonesë në Fletore Zyrtare, mjegullnajës e territ të informacionit me lejet e ndërtimit, investimet strategjike, ankandet, subvencionet, qiratë e pronave shtetërore e çdo kontrate tjetër publike, tashmë prej javësh i shtohen edhe transaksionet e thesarit”, theksoi Ziu.
Sipas saj, transparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si dritare informacioni e aksesueshme lehtësisht, duke kontribuar në monitorimin e shpenzimeve të qeverisë jo vetëm nga media e gazetarë por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë.
Ajo ngriti pyetjen se pse duhet të mos publikohen transaksionet e thesarit.
“Transaksione dhe rimbursime që duhet të mbahen jashtë vëmendjes së publikut apo mungesë parash në buxhetin e shtetit?!”, tha Ziu./ata