Universitetet publike po mbledhin më pak para nga tarifat që studentët paguajnë. Kjo për shkak të pakësimit të numrit të këtyre të fundit.

Nga 658 milionë lekë që priteshin të arkëtoheshin deri në fund të gushit, institucionet shtetërore të arsimit të lartë grumbulluan vetëm 546 milionë lekë. Janë 112 milionë lekë apo 17% më pak para të arkëtuara sesa plani, shkruan A2 CNN.

Nga tarifat që studentët paguajnë për t’u ulur në auditorët e fakulteteve u mblodhën më pak para se edhe një vit më parë, duke konfirmuar kështu tkurrjen e veçanërisht të rinjve.

Në vetëm 5 vitet e fundit, numri i maturantëve të regjistruar në universitete është tkurrur me gati 6 mijë. Nga rreth 25 mijë në vitin akademik 2019-2020, numri i atyre që u ulën për herë të parë në auditorët e fakulteteve ka rënë në pak më shumë se 19 mijë.

Të dhënat nga Tatimet tregojnë gjithashtu se gjatë vitit të shkuar institucionet shtetërore të arsimit të lartë grumbulluan pak më shumë se 143 milionë lekë. Në krahasim me vitin 2022, arkëtimet nga tarifa e studimit u rrudhën me gati 16 milionë lekë apo 9,8%.

Vetëm në vitin akademik 2023-2024, më shumë se 11 mijë maturantë aplikuan për të studiuar në universitete jashtë vendit. Kjo në një kohë që qeveria po përpiqet t’i mbajë ata në vend duke i joshur me bursa e lehtësi të tjera, nëse zgjedhin disa programe studimi të shpallura si “përparësi kombëtare.” /A2TV