Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Procesit Brdo-Brijuni, që këtë vit u mbajt në Mal të Zi, ndërkohë që në fjalën e tij ka theksuar se perspektiva e integrimit evropian mbetet në thelb të përpjekjeve të vendit.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj ka konfirmuar qëndrimin se Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë proaktiv në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Begaj në fjalën e tij.

"Ndërsa theksoi rëndësinë e konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të mbahet më 15 tetor për kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit, Presidenti Begaj e vlerësoi atë si një sinjal inkurajues edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se Presidenti i Shqipërisë konfirmoi angazhimin e vendit për agjendën e ndërlidhjes si një nga prioritetet më të larta, si edhe inkurajimin e ekonomive “të gjelbra”.

"Krerët e shteteve pjesëmarrëse në këtë samit arritën në një konkluzion të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe ecurinë e proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si rruga më premtuese dhe e pazëvendësueshme drejt një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Gjithashtu, u theksua rëndësia e veprimeve të guximshme për të siguruar stabilitetin afatgjatë dhe krijimi i kushteve për të rinjtë, që ata të mund të qëndrojnë në vendet e tyre", thuhet tutje.

Në fokus të samitit ishte forcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Evropës Juglindore dhe përshtatja me qëllimet e Planit të Gjelbër Evropian.

Gjatë vizitës në Mal të Zi, Begaj u takua me homologë të disa vendeve, si dhe është takuar edhe me përfaqësuesit e spektrit politik shqiptar në Mal të Zi./aa