Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se pa hezituar do të japin kundërpërgjigje më të fuqishme ndaj sulmit të mundshëm të Izraelit.

Araghchi foli në një program të mbajtur në Qendrën për Studime Strategjike të Ministrisë së Punëve të Jashtme (IPIS), ku morën pjesë ambasadorët e Irakut, Jemenit, Libanit dhe Sirisë në Teheran.

Ai tha se operacioni "Tufani i Aksasë" i kryer nga Hamasi kundër Izraelit më 7 tetor 2023 çoi në zhvillime të rëndësishme kundër Tel Avivit. "Në vitet e kaluara, forcat e rezistencës kanë përjetuar ulje-ngritje, por çdo herë ato kanë vazhduar rrugën e tyre në mënyrë më rezistente", tha Araghchi.

Ministri iranian komentoi kërcënimet e Izraelit për një sulm ndaj infrastrukturës së Iranit. "Ne i rekomandojmë Izraelit të mos testojë vullnetin e Iranit. Ne do t'i përgjigjemi më fort çdo sulmi. Nuk do të hezitojmë të përgjigjemi", tha Araghchi./aa