Ushtria izraelite këtë mëngjes pretendoi se ka vrarë një komandant të lartë të grupit libanez Hezbollah në një sulm ajror të kryer në pjesën jugore të Bejrutit.
Mbrëmë, ushtria izraelite njoftoi kryerjen e një sulmi "të saktë dhe të shënjestruar" në periferinë jugore të Bejrutit.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se ka vrarë Suhail Hussein Husseini, për të cilin tha se ishte kreu i rrjetit logjistik të Hezbollahut dhe përgjegjës për transferimin e armëve midis grupit libanez dhe Iranit.
Në deklaratë gjithashtu tha se Husseini ishte një anëtar i trupit më të lartë ushtarak të grupit, i njohur si Këshilli i Xhihadit.
Grupi Hezbollah ende nuk ka komentuar mbi sulmin izraelit.
Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në të gjithë Libanin duke pretenduar se ka goditur objektiva të Hezbollahut që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 1.250 njerëz dhe duke plagosur 3.618 të tjerë, si dhe duke zhvendosur më shumë se 1,2 milion njerëz.
Fushata ajrore ishte një përshkallëzim i luftës ndërkufitare njëvjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës ku janë vrarë rreth 42.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Gaza dhe Liban, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një pushtim tokësor në Libanin jugor më 1 tetor./aa