Kur kanë kaluar gati 3 vite nga vizita e fundit në Shqipëri, Presidenti i Turqisë Erdogan rikthehet në Tiranë për të inauguruar xhaminë e Namazgjasë. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar Erdogan do të takohet me homologun e tij, Begajn si edhe kryeministrin Rama.
Inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë rikthen pas gati 3 vitesh në Shqipëri Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Të enjten e 10 tetorit, Erdogan i cili do të qëndrojë vetëm disa orë në kryeqytetin shqiptar do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë më të madhe në rajon.
Për këtë në godinën e cila ka përfunduar prej disa vitesh po bëhen gati përgatitjet e fundit për të pritur presidentin turk.
Xhamia e Namazgjasë nisi punimet në vitin 2015 ndërsa ishte planifikuar që pas gati 3 vitesh të përfundonte dhe të hapte dyert për besimtarët, gjë e cila nuk ndodhi dhe pas gati 6 vitesh nga ai moment, do të inaugurohet nga Erdogan.
Investimi për ndërtimin e saj kap një vlerë prej 30 milionë eurosh nga Komuniteti Mysliman i Turqisë. Xhamia ka një kapacitet për 5000 persona dhe një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë.
Në Tiranë, presidenti Erdogan do të takohet me homologun e tij shqiptar, Bajam Begaj si edhe me kryeministrin Edi Rama. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një konferencë me gazetarët e më pas do të largohet drejt Serbisë për të zhvilluar një tjetër vizitë zyrtare./ata