Përkeqësimi i motit në orët e ardhshme, i paralajmëruar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, ka qenë në qendër të një mbledhjeje të zhvilluar online nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Ministrja e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj.
Në mbledhjen online morën pjesë edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefektja Majlinda Angoni, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefekti Gjergj Prendi.
Ata biseduan për t’i paraprirë situatës meteorologjike të ditës së nesërme me reshje intensive në veriperëndim të vendit.
Ministri Vengu tha në një postim në rrjetet sociale se, “dakordësuam masat parandaluese që duhet të ndërmarrim bashkërisht në orët në vijim: inspektime mirëmbajtëse në infrastrukturën kulluese, kolektorët në zonat urbane dhe hidrovorët; gatishmëri teknike e Brigadës së Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura të Vaut të Dejës në mbështetje të ekipeve vendore dhe sensibilizim i qytetarëve të zonave me risk për masat individuale mbrojtëse”.
“Monitorimi i vazhdueshëm i situatës dhe gatishmëria e Emergjencave Civile janë një parakusht për të minimizuar pasojat e këtij fronti reshjesh për Lezhën dhe Shkodrën, ku puna për të mbajtur të hapura akset rrugore kombëtare dhe rurale, dhe për të mirëmbajtur kolektorët dhe kanalet kulluese, do të vazhdojë”, tha Vengu.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se në bazë të parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe Institutit të Gjeoshkencave (IGEO), në orët në vijim pritet të ketë reshje me intensitet mesatar në qarqet Shkodër dhe Lezhë.
Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po vijon koordinimin me autoritetet vendore për marrjen e masave të nevojshme në rast emergjence./ata