“Nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shitura, atëherë 1/3 e tyre nuk do të dilnin pa fitues, po dalin pa fitues se nuk arrihen të plotësohen kriteret e forta që janë”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në aktivitetin me të rinjtë të organizuar në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
“Ne shqiptarët nuk jemi humbësa të zotë, ne nuk dimë të humbim dhe kur njeriu nuk di të humbë e ka shumë të vështirë të mësojë si fitohet. Gjithmonë nëse ne fitojmë është meritë personale, themi edhe ndonjë fjalë të mirë, por nëse humbim është faji i dikujt tjetër. Fjala që është gjetur është korrupsion, taraf e të tjerë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “fatmirësisht jo se nuk ka të tilla se po të thosha të tilla do thosha një gjë tjetër të pavërtetë, po kaq e vërtetë është që mbi 500 si ju që në 3 vitet e fundit janë punësuar pasi kanë kryer këtë proces, pasi kanë bërë konkursin janë në 95 % njerëz që nuk kanë ardhur në praktikën e punës si të rekomanduar nga dikush as me mbështetjen e dikujt, as se kanë pasur një mbiemër të njohur dhe kanë fituar konkursin falë meritës së tyre”.
Duke iu drejtuar të rinjve, Rama tha se “ju duhet ta besoni këtë. Është shumë e rëndësishme ta besoi këtë dhe mbi të gjitha është edhe më e rëndësishme të besoni që cilat do të jenë pengesat, qoftë dhe sikur këto pengesa që unë po ju them janë shumë më të pakta sesa c‘thuhet të jenë ashtu siç thuhen, ju duhet të besoni që atë gjë që doni të arrini, do ta arrini dhe të jeni të gatshëm që për ta arritur të bëni gjithçka që duhet bërë për t’ia arritur”.
“Kam takuar një vajzë që hyri në administratën publike pas 7 konkursesh dhe nuk e njihja por më njihte dhe më çonte mesazh: padrejtësia, kjo, ajo. Dhe ju them që kur ka fituar herën e shtatë, shumë respekt ruaj për të, më ka kërkuar 5 minuta dhe më ka thënë: të kërkoj ndjesë për gjithçka kam shkruar më parë sepse mu deshën 6 konkurse që ta fitoja të shtatin, jam po kjo, pa miq dhe duke parë sesi janë paraqitur njeri pas tjetri kam kuptuar që nuk ka qenë hile ndaj meje, por ka qenë pamundësia ime për të fituar. Dhe natyrisht që nuk është sekret që kur ndodh që janë dy njësoj patjetër që tendenca është që të marrësh atë që të ngjan më shumë apo jo? Por ama kur ti do të bësh diferencën, duhet t’i lesh të gjithë mbrapa dhe ajo e fitoi konkursin. Sot e gjithë ditën është nënë me fëmijë, është punonjëse administrate”, tha Rama.
Më tej Rama tha se “ju me siguri mund të bëni zgjedhjen tuaj. mund të jetoni këtu, mund të shkoni jashtë, mund të mendoni që atje larg ju pret me krahëhapur një republikë e konkurrencës, e meritës, e vlerësimit, por në të gjitha rastet mundësinë për të patur këtë eksperiencë shfrytëzoheni deri në fund sepse edhe sikur të mendoni që dikur do shkoni diku tjetër, kudo të shkoni nëse në përshkrimin e punës suaj do keni të shkruar “kam punuar për administratën publike të shtetit shqiptar” do t’ju shohin me më shumë respekt. Dhe ky është një respekt që deri përpara disa vitesh dukej i paimagjinueshëm, nuk na respektonte asnjeri”.
“Na konsideronin një komshi të cilin se heq dot qafe, gati – gati si një banor në një ndërtim pa leje këtu në Ballkan edhe e shtynim ne. Sot na respektojnë. Sepse menjëherë fillojnë pyesin: Shqipëria sa bukur, kam qenë dhe nga ana tjetër ajo që po ndodh sot është aq e madhe dhe njëkohësisht aq reale sa c‘ishte absolutisht komplet e pabesueshme që Shqipëria është në hapin e fundit për tu bërë anëtare e BE, për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane. Kur them hapin e fundit, unë numëroj 500 vjet, këto janë 5 vitet e fundit. Është një hap, finali për të kryer me sukses negociatat dhe cilido prej jush në këto 5 vjet që do të ketë mundësinë të jetë pjesë e grupeve negociatore, nëse do të vazhdojë në administratë dhe nëse do të përfshihet, si Arditi, atëherë do të ketë në përshkrimin e punës së tij edhe një tjetër sasi pikësh në sytë e kujtdo kudo që të shkojë”, tha Rama./ata