Konferenca e Kryetarëve është mbledhur mëngjesin e sotëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Gazetari Ergys Gjençaj për News 24, raporton se do të diskutohen punimet e Parlamentit.
Fillimisht do të shqyrtohet kalendari i punës së Kuvendit për periudhën 14 tetor-1 nëntor, si dhe do të diskutohet programi i punës së Parlamentit për periudhën 14 tetor-22 nëntor.
Raporti i monitorimit për periudhën 1 prill- 30 qershor 2024 do të jetë gjithashtu pjesë e diskutimeve së konferencës së kryetarëve. Ky diskutim do të konsistojë në masat e parashikuara në planin e veprimit të Kuvendit, në zbatim të rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, të vitit 2023.
Si pasojë e përjashtimeve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, nuk marrin pjesë në këtë konferencë.
Sakaq, kjo mbledhje po mbahet një ditë përpara seancës parlamentare dhe mbetet për t’u parë se si do të reagojë opozita të nesërmen. Sipas gazetarit Gjençaj pritet krijimi i tensioneve nga deputetët e opozitës.
Kujtojmë se disa prej ligjvënësit e opozitës janë përjashtuar nga punimet parlamentare për shkak të protestës së tyre të zhvilluar në sallën e Kuvendit. Po kështu, për shkak të dëmeve të shkaktuar, si prishja e mikrofonëve dhe djegia e karrigëve, 23 deputetë të opozitës janë proceduar në SPAK./GazetaShqiptare