Koreja e Veriut njoftoi se duke filluar që nga sot do të ndërpresë lidhjet e rrugës tokësore dhe hekurudhore me Korenë Jugut, për shkak të veprimeve ushtarake të Koresë së Jugut dhe SHBA-së.
Sipas lajmit të agjencisë së lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, në deklaratën e bërë nga Ushtria Popullore e Koresë së Veriut thuhet se lidhjet rrugore dhe hekurudhore në kufi do të ndërpriten që nga 9 tetori dhe zonat kufitare do të fortifikohen me strukturat e mbrojtjes.
Në deklaratën në të cilën Koreja e Jugut përshkruhet si "shtet armik primar" dhe si "armiku kryesor" thuhet se, "Ndërprerja e përhershme dhe mbyllja e kufirit nga ushtria jonë në situatën aktuale është një masë vetëmbrojtëse për të parandaluar luftën dhe për të garantuar sigurinë e vendit".
Më tej thuhet se situata ushtarake në Gadishullin Korean është bërë "akute" për shkak të stërvitjeve ushtarake të Koresë së Jugut dhe vizitës së disa prej aseteve bërthamore të SHBA-së në rajon dhe se janë marrë masa më të vendosura dhe më të forta kundër kësaj.
Ushtria e Koresë së Veriut, aktivitetin e fortifikimit ia njoftoi me mesazh telefonik trupave amerikane të vendosura në Jug, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se kjo synonte të parandalonte keqkuptimin e aktivitetit dhe rrezikun e konfliktit aksidental.
Ndërsa prania ushtarake amerikane në Korenë e Jugut vazhdon që nga Lufta Koreane e viteve 1950-53, në vend ka ende 28 mijë ushtarë amerikanë. Ndarja midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut mbetet një nga ndarjet e pazgjidhura të Luftës së Ftohtë./aa