Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe historike po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorët e huaj.

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të huaj gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti.

 

Kumbaro u shpreh se “vizitorët e huaj në shkurt 2023 janë rritur me 54% krahasuar me shkurtin e kaluar, ndërsa për dy muajt e parë të këtij viti, mbi 686 mijë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë, ose 74% më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2022”.

 

“Në shkurt të 2022 vendi yën u vizitua nga 200 997 turistë të huaj, në shkurt të 2023 nga 309 325 turistë të huaj, pra 54% më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa në janar- shkurt të 2022 u vizitua nga 395 234 dhe në janar-shkurt 2023 686 536 turistë të huaj, pra 74% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, theksoi Kumbaro.

 

Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj./ATSH