Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se mbështet zgjerimin e aplikimit të votimit elektronik, ndërsa shprehu rezerva për shtrirjen e menjëhershme të tij në gjithë territorin e vendit.

Në një seancë dëgjimore në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, Celibashi adresoi disa prej çështjeve që duhet të trajtohen në këtë komision për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Duke folur për votimin elektronik, ai u shpreh se duhet që të merret një vendim politik, nëse ka vullnet për ta shtrirë dhe më gjerë votimin elektronik, apo jo.

“Unë e mbështes shtrirjen më gjerë të votimit elektronik nga sa jemi duke e aplikuar, por nuk jam shumë i bindur se duhet ta shtrijmë menjëherë në gjithë territorin e vendit. Por,  nëse politika dhe Kuvendi dakordësojnë se ka dobi që të shtrihet në gjithë territorin e vendit duhet të mbani në vëmendje dy faktorë: koston dhe faktorin njeri. Faktori njeri lidhet me njerëzit që do të merren me aspektin teknik të zhvillimit të këtij procesi”, tha ai.

Celibashi solli në vëmendje kontestimet që ndodhën në zgjedhjet e kaluara në bashkinë e Elbasanit lidhur me zhvillimin e votimit elektronik. Ai theksoi se nga verifikimi paszgjedhor kishte përputhshmëri 100% të fletëve të printuara me votat dixhitale.

“Nuk e kemi aspak dyshimin te pajisjet sepse edhe kontestimet nuk i adresoheshin sistemit por njerëzve që u angazhuan me atë proces. Ndaj do të duhet të konsiderojmë personelin që do të merret me implementimin e votimit elektronik”, shtoi ai.

“Na duhet të konsiderojmë edhe angazhimin e komisionerëve vetëm partiakë në këtë proces, sikurse është sot. Nuk më duket se është kaq e thjeshtë të gjesh një armatë prej 10 mijë njerëzish. Po ashtu nëse bihet dakord për të përdorur votimin elektronik, duhet të rishikojmë edhe numrin e qendrave të votimit”, tha ai.

Megjithatë, Celibashi theksoi se nuk mund të thuhet se votimi elektronik do të zgjidhë gjithë problematikat që kemi me zgjedhjet në Shqipëri.

“Votimi elektronik natyrisht që ka avantazhe por nuk e zgjidh çështjen e shitblerjes së votës apo edhe çështje të tjera që lidhen me tërësi me integritetin e procesit zgjedhor”, theksoi ai./ata