Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, u pritën në Komunën e Leposaviqit nga kryetari Lulzim Hetemi dhe nënkryetarja Marina Bogojeviq.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë vizitës, kryeministri Kurti ngriti çështjen e mungesës së një materniteti në Komunën e Leposaviqit, për të cilin, së bashku me ministrin Vitia dhe drejtorin Ndrejaj, vizituan objektin që parashihet të shndërrohet në lindtore.
"Jemi të interesuar që këtë objekt të zbrazët dhe i cili i është nënshtruar dëmtimit të vazhdueshëm, ta rinovojmë, duke e shndërruar në lindtore, në maternitet për qytetarët e kësaj komune, të cilët fatkeqësisht detyrohen që lindjet e grave të tyre të shkojnë me dhjetëra kilometra larg në Novi Pazar, të kalojnë kufirin dhe të lindin atje. Andaj, është e rëndësishme që të ketë një maternitet në Komunën e Leposaviqit dhe për këtë kemi ardhur këtu", tha Kurti.
Ai vuri theksin edhe te rëndësia e muajit tetor, i cili shënohet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Kurti u shpreh i kënaqur që një mamograf mobil do të qëndrojë për dy ditë në qendër të Leposaviqit, duke u ofruar grave dhe vajzave mundësinë për kontrolle pa pagesë, nëpërmjet të cilës mund të bëhet diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjithashtu bëri thirrje për të gjitha gratë që të përfitojnë nga shërbimi falas i mamografit mobil në Leposaviq.
Komuna e Leposaviqit është një nga komunat me shumicë të popullatës serbe në pjesën veriore të Kosovës./aa