Ministri i Arsimit Kombëtar i Türkiyes, Yusuf Tekin, i cili ndodhet për vizitë pune në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), tha se kjo zonë ishte skenë e një prej gjenocideve më të mëdha në historinë njerëzore të kohëve të fundit dhe se ky rajon sot mund të jetë shembulli dhe vendi më kompetent me të cilin do të dërgohet kërkesa për një botë të lirë dhe të drejtë që do t'i japë fund represionit dhe masakrave të vazhdueshme në mbarë botën, veçanërisht në Palestinë dhe Liban.
Në kuadër të qëndrimit në BeH, Tekin vizitoi Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS), ku foli në ceremoninë e mbajtur me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2024/2025, që shënon edhe 20-vjetorin e punës së IUS-së.
Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, Denis Zvizdiq, zëvendëskryetari i Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare Kemal Ademoviq, ambasadori turk në Sarajevë, Sadık Babür Girgin, kryetari i Fondacionit për Zhvillimin e Arsimit (SEDEF) Hasan Topaloğlu, kryetari i Bordit të Drejtorëve të IUS-së, Sevgi Kurtulmuş si dhe shumë personalitete dhe të ftuar të tjerë.
Në fillim të fjalës së tij, ministri Tekin shprehu ngushëllimet e tij për të gjithë ata që humbën jetën në përmbytjet në BeH, si dhe u dërgoi ngushëllime familjeve të tyre, duke theksuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Bosnjën në këto momente të vështira.
Duke folur më tej për rëndësinë e universiteteve, Tekin kujtoi se universitetet në përgjithësi përfaqësojnë struktura që shërbejnë për të edukuar breza të rinj që mund të kapërcejnë padrejtësitë me të cilat mund të përballen në vendet ku ata jetojnë apo në mbarë botën, që janë pionierë të perspektivës së paqes dhe drejtësisë së njerëzimit, duke shtuar se kështu e drejtojnë këtë perceptim të qytetërimit universal te brezat e ardhshëm.
"Ndërsa ky synim shpreh një ideal për të ardhmen, ai në fakt pasqyron një traditë të rrënjosur në një klimë paqeje qindravjeçare, të cilën ne e pranojmë si trashëgimi e përbashkët e botës dhe e kombeve të botës, ku në një botë universale të gjithë jetojnë në paqe. Sot ne mund të rivendosim këtë klimë paqeje përmes universiteteve dhe punonjësve tanë akademikë, ku dallimet si raca, feja, kultura apo sekti nuk janë arsye për ndarje apo konflikt, ku respekti i ndërsjellë merret si bazë dhe ku të gjithë njerëzit e lirë formohen në një integritet harmonik", tha Tekin.
"Ne mund ta fillojmë këtë pikërisht këtu, nga kjo zonë që është ekspozuar ndaj një prej gjenocideve më të mëdha në historinë e fundit njerëzore. Mund ta paraqesim atë si shembullin më kompetent të kërkesës për një botë të lirë dhe të drejtë që do t'i japë fund represionit të vazhdueshëm dhe masakrave në mbarë botën, veçanërisht në Palestinë dhe Liban", shtoi ai.
Tekin tha më tej se vendet që kanë fuqi ushtarake, industriale dhe ekonomike kanë krijuar një sistem shfrytëzimi në nivel global, i cili formësohet nga arsye politike, ekonomike, kulturore, fetare, kombëtare apo parametra të tjerë dhe sipas pozicionit të të fuqishmëve, parimet e ligjit universal mbeten vetëm një ligjërim që tingëllon bukur dhe shpesh instrumentalizohen si kamuflazh për të mbuluar pabarazitë dhe padrejtësitë e vazhdueshme.
Ai tha se edhe struktura e Kombeve të Bashkuara, e cila supozohet se është krijuar për të vendosur dhe mbrojtur paqen dhe sigurinë botërore, e zbulon qartë këtë fakt.
"Shumë organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, të krijuara për bashkëpunim ekonomik, social dhe kulturor midis njerëzve të botës, janë nën kontrollin e vendeve dominuese që qeverisin dhe drejtojnë botën globale sipas interesave të tyre. Marrëdhëniet ndërmjet pesë vendeve që koordinojnë OKB-në dhe pjesës tjetër të botës janë ose ato mund të rregullohen sipas interesave të përbashkëta të këtyre pesë vendeve, dhe ndonjëherë edhe sipas interesave individuale të ndonjërit prej këtyre vendeve. Bota vërtet është më e madhe se pesë", tha Tekin.
Duke diskutuar rëndësinë e BeH-së dhe rajonit të Ballkanit për vendin e tij, Tekin shtoi: "Ne duam të ecim përpara së bashku drejt një të ardhmeje të drejtë dhe të lirë duke rivendosur dhe forcuar fort lidhjet tona me të gjitha vendet dhe territoret vëllazërore, veçanërisht Bosnjë e Hercegovinën dhe Ballkanin".
Ai tha se sot dëshiron të kujtojë liderin e urtë Alija Izetegoviq, i cili, siç tha ai, ishte një nga mbrojtësit e rëndësishëm të vlerave për të cilat fliste.
"Alija, një njeri i veprimit dhe ideve që ia kushtoi jetën bashkimit, mbijetesës dhe drejtësisë së muslimanëve, me idetë dhe luftën e tij hodhi dritë mbi situatën e pashpresë në të cilën ndodhet bota e sotme. Besoj se të gjithë studentët tanë në fakultet hulumtojnë veçanërisht mbi Alija Izetbegoviqin dhe botën e tij të ideve", tha Tekin, duke u uruar suksese të gjithë studentëve në vitin e ri akademik.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e arsimit, nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentar, Zvizdiq, theksoi se institucionet më të mira janë ato që kanë natyrë edukative dhe arsimore.
"Nëse nuk u kemi mësuar të rinjve vlerat e duhura në jetë, nëse nuk i kemi mësuar të jenë moralë, solidarë, të drejtë, të mirë ndaj kolegëve, miqve, prindërve dhe gjithë shoqërisë, atëherë, sigurisht, nuk kemi arritur asgjë. Jam plotësisht i bindur se çdo shoqëri do të përparojë nëse secili prej nesh është më i miri në punën që bëjmë", tha Zvizdiq.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Dhomës së Popullit Ademoviq kujtoi se Türkiye dhe Bosnjë e Hercegovina janë dy vende jashtëzakonisht miqësore dhe se i vjen mirë që dy vendet janë të lidhura institucionalisht në fushën e arsimit./aa