Kushtet e përkeqësuara ditën e sotme (9 Tetor) në zonën veriperëndimore të vendit, në qarqet Shkodër dhe Lezhë sipas njoftimit të Mbrojtjes Civile, u shoqëruan me reshje intensive të përkohshme të shiut.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook, duke njoftuar masat e mara dhe situatën pas reshjeve të rëna, ku janë angazhuar 5 grupe pune me të paktën 127 punonjës të Shërbimeve Publike, Ujësjellës-Kanalizimeve, Policisë Bashkiake, Zjarrfikësve dhe Policisë.

“Fatmirësisht nuk ka pasur dëme të mëdha në banesa dhe biznese, ndërkohë që situata aktualisht është e qetë dhe po monitorohet nga punonjësit dhe specialistët e emergjencave civile të Bashkisë Shkodër. Sipas parashikimeve, Shkodra do të jetë edhe nesër në prezencë reshjesh, ndërkohë që të gjitha strukturat tona janë në terren për çdo problematikë”, tha Beci.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Institutit të Gjeoshkencave, kanë publikuar sot edhe parashikimin në tre ditët e ardhshme, ku pritet të ketë reshje shiu me intensitet mesatar, teksa në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës do të shoqërohen me shtrëngata.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes, njoftuan se janë nën monitorim të situatës për rastet emergjente, teksa këshillohen qytetarët që “të tregojnë kujdes të shtuar”.

Masat e mara nga 5 grupet e punës në terren:

-43 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe Punëve Publike

-40 punonjës të Ujësjellës-Kanalizimeve

-14 efektivë të Policisë Bashkiake

-12 efektivë të Forcave Zjarrfikëse

-18 efektivë të Policisë së Shtetit


/Shqiptarja