Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj dhe deputetja Klodiana Spahiu, në cilësinë e anëtareve të Grupit Vullnetar për Popullsi dhe Zhvillim, zhvilluan një takim me Leonidas Galeridis, ekspert politikash dhe kërkimi shkencor pranë Forumit Parlamentar Europian (EPF).
Ky forum mbështet punën e parlamentarëve në Shqipëri përmes Qendra për Popullsi dhe Zhvillim, ACPD, e cila u përfaqësua në këtë takim nga Elona Gjebrea, drejtoreshë e kësaj qendre.
Gjatë takimit u theksua mbështetja e EPF-së për Grupin Vullnetar për Popullsi dhe Zhvillim dhe nevoja për të ndihmuar parlamentarët me statistika krahasuese dhe shembuj politikash në fushën e shëndetit riprodhues dhe çështjeve të demografisë.
Felaj dhe Spahiu shprehën gatishmërinë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin me EPF dhe drejtorin Ekzekutiv të EPF, Neil Datta, të cilin e ftuan për të vizituar Kuvendin e Shqipërisë, si dhe angazhimin për të punuar më tepër mbi legjislacionin dhe politikat në fushën e çështjeve të popullsisë dhe zhvillimit./ata