Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi dhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman diskutuan në Rijad për agresionin e Izraelit në rajon dhe çështjet që kanë të bëjnë me të dy vendet.
Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit thuhet se ministri Araghchi u takua me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite Bin Salman në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, ku zhvilloi një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit, Bin Salman shprehu shqetësimin e tij të thellë për përshkallëzimin e krizës dhe përhapjen e luftës në rajon dhe deklaroi se të gjitha vendet e rajonit duhet t'i kushtojnë vëmendje ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
Ai shprehu kënaqësinë e tij për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Iranit dhe Arabisë Saudite vitin e kaluar dhe shtoi se e shohin si pozitive përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. "Mbretëria e Arabisë Saudite është e vendosur të vazhdojë këtë proces në marrëdhëniet dypalëshe", tha Bin Salman.
Ministri iranian, Araghchi deklaroi se vendosja e marrëdhënieve të mira me fqinjët është prioritet i qeverisë dhe se ata janë të vendosur të vazhdojnë këtë politikë për të forcuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Ai potencoi zhvillimet në rajon dhe konsultimet e tij me zyrtarët e këtyre vendeve gjatë vizitës së fundit në Liban dhe Siri. "Të gjitha vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë dhe të gjitha vendet e rajonit duhet të ndalojnë menjëherë sulmet e Izraelit në rajon dhe të parandalojnë shkatërrimin e mëtejshëm të infrastrukturës së Gazës dhe Libanit", tha Araghchi.
Kryediplomati iranian tha se është thelbësore të ndalohen menjëherë sulmet e Izraelit për të garantuar stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon. "Regjimi izraelit po e tërheq të gjithë rajonin në katastrofë. Rajoni ka nevojë për largpamësi, mençuri, guxim dhe bashkëpunim për të kapërcyer këtë kohë të vështirë", tha Araghchi./aa