Më 10 tetor 1972, u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Me dekretin nr. 4993 të Presidiumit të Kuvendit Popullor u themelua institucioni më i lartë kërkimor shkencor në vend, si rezultat i përpjekjeve të palodhura të profesor Aleks Budës, i cili u emërua dhe kryetari i parë i tij. Mbledhja e parë e Asamblesë së ASHSH u mbajt më 25 janar 1973. Midis themeluesve të tjerë që spikatnin krahas Budës ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj.
Në fillesat e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë. Akademia funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si edhe të shkencave natyrore dhe teknike.
Mes funksioneve kryesore të Akademisë bëjnë pjesë: kryerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore dhe organizimi i veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me shkencën.
Dekreti i themelimit të Akademisë së Shkencave ruhet në fondin e Akademisë së Shkencave në AQSH. Po ashtu, gjendet lista me anëtarët e seksioneve të ASH-s./ata