Në Elbasan një tjetër pronë e konfiskuar nga keqbërës të dënuar është shndërruar në ndërmarrje sociale, duke i dhënë mundësi të reja komunitetit vendas.
Në përurimin e kësaj ndërmarrjeje ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato dhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato u shpreh i lumtur që procedimet e aktiviteteve kriminale kthehen në sipërmarrje sociale që përmirësojnë jetesën e grave në nevojë në Elbasan.
“Aksioni ynë i përbashkët dërgon një mesazh të fuqishëm në luftën kundër veprimtarisë kriminale në Shqipëri: Pasuritë e konfiskuara, sado të mëdha apo të vogla, mund të përdoren për një kauzë të mirë shoqërore. Ne duhet të sigurojmë që këto nisma të jenë të qëndrueshme dhe të mbrohen nga kërcënimet për të provuar se ligjshmëria mbizotëron dhe mosndëshkimi ka marrë fund”, tha ai.
Falë projektit TWIST të BE-së, kjo hapësirë tani strehon një punëtori ku gratë vendase, shumë prej të cilave me prejardhje nga komunitete të cenueshme, thurin qilima tradicionale dhe produkte të tjera të punuara me dorë. Ata jo vetëm që po ruajnë trashëgiminë, por edhe po fitojnë jetesën dhe mbështesin familjet e tyre.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bën thirrje që këto nisma duhet të mbrohen dhe të nxiten.
Me programin TWIST, së bashku me OJQ-të e Shqipërisë dhe BE-së, BE ndihmon në kthimin e pasurive të konfiskuara në mundësi. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është edhe kjo – t’i kthehet qytetarëve shqiptarë ajo që është fituar me praktika kriminale apo korruptive, thekson delegacioni i BE./ata