Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali reagoi sot pas deklaratës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për anulimin e seancës së sotme parlamentare.

Në një reagim nga zyra e shtypit thuhet se kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.

“Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre”, thuhet në reagim.

“Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional”, përfundon reagimi./ata