Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mori pjesë në takimin përmbyllës me delegacionin e Nën-komitetit të OKB-së për Parandalimin e Torturës (SPT), pas misionit të tyre monitorues për kushtet e të paraburgosurve dhe të dënuarve në Shqipëri, me fokus të veçantë rastet e trajtimit arbitrar dhe degradues të tyre.
“Si Ministër i Drejtësisë, konfirmova politikën riintegruese dhe risocializuese që ne ndjekim në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në Shqipëri dhe se sistemi ynë i paraburgimit dhe dënimit është nën monitorimin e vazhdueshëm të Avokatit të Popullit dhe Mekanizmit Kundër Torturës, organizatave të shoqërisë civile, por dhe të organizmave evropiane dhe ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, tha Manja.
Manja shprehu angazhimin, për të respektuar detyrimet ligjore dhe ato ndërkombëtare në këtë fushë, njohim të gjitha problematikat e sistemit tonë penitenciar, s’kemi asgjë për fshehur para askujt, jemi në 15 vendet e KiE që publikojmë raportin e monitorimit të vëzhguesve të tyre dhe mezi presim raportin e radhës të SPT për të përmirësuar edhe më shumë sistemin tonë penitenciar./ata