Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, priti një delegacion nga Republika e Serbisë, të kryesuar nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.

Siç njofton MPB-ja maqedonase, në takimin e mbajtur në Kumanovë janë diskutuar modalitetet e përmirësimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy ministrive, koordinimin për pjesëmarrjen e një delegacioni të Republikës së Serbisë në një stërvitje simuluese për shkëmbim informacioni në kohë reale për kontrabandimin dhe trafikimin e emigrantëve përgjatë rrugës Lindore-Mesdhetare që do të mbahet nga 14 deri më 17 tetor në Ohër të këtij viti.

Në takim u diskutua edhe për draft tekstin e Marrëveshjes ndërmjet dy qeverive për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në kuadër të konceptit "One Stop shop" në pikën e përbashkët kufitare për komunikacion ndërkombëtar rrugor Tabanovcë-Preshevë.

"Kemi pasur një takim në Kumanovë, gjatë të cilit kemi konstatuar fazat se çfarë është arritur në të gjithë atë që kemi bërë si plane dhe zotime në kuadër të vizitës së fundit. Biseduam për gjithçka që lidhet mes dy forcave policore në lidhje me bashkëpunimin e vazhdueshëm, i cili duhet të theksoj se është i shkëlqyer. Vazhduam të diskutonim për temën e herës së fundit, që është përmirësimi i tranzitit të qytetarëve tanë në pikat kufitare, pasi në kuadër të grupeve teknike mes dy ministrive u ra dakord që të ketë takime të vazhdueshme për realizimin të zgjidhjes përfundimtare për sistemin me një ndalesë", theksoi ministri Toshkovski.

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, theksoi se ky është takimi i tretë i përbashkët ku me saktësi u përcaktuan hapat dhe gjërat që duhet të bëhen për zgjidhjen e problemeve dhe në këtë mënyrë për t'ua lehtësuar jetën qytetarëve të dy shteteve.

"Problemi më i madh në të cilin jemi fokusuar është pritja e gjatë në kufi për qytetarët tanë dhe tashmë po punohet me hapa dhe ekipe specifike të të dyja ministrive për ta funksionalizuar dhe perfeksionuar procesin që një problem i tillë të mos ekzistojë më. Në drejtim të problemeve të tjera, si emigracioni i paligjshëm, ju e dini se me punën e përbashkët mes dy policive është bërë shumë për të reduktuar kalimin e emigrantëve të paligjshëm dhe për këtë kemi marrë vlerësime nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian", tha ministri Daçiq.

Dy ministrat në fund theksuan se të dy policitë bashkëpunojnë mirë dhe se bashkëpunimi do të përmirësohet në fushën e krimit të organizuar, migracionit ilegal, trafikut të qenieve njerëzore, kontrabandës së drogës, luftës kundër terrorizmit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacionit./aa