Bankat tregtare në vend, kanë kryer investime të konsiderueshme për mbrojtjen kibernetike gjatë viteve të fundit, me qëllim mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe rritjen e sigurisë së të dhënave dhe infrastrukturës IT.

Kështu deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në Konferencën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ku morën pjesë ministra, përfaqësues diplomatikë, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues nga sektori privat dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

Konferenca kishte në fokus vizionin e institucioneve shqiptare për forcimin e ekosistemit kibernetik dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, në kuadër të përballimit të sfidave të sigurisë kibernetike, si dhe risitë e sfidat e teknologjive të reja.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori prezantoi strategjitë që ndjek Banka e Shqipërisë për një hapësirë të sigurt kibernetike.

“Një ndër objektivat kryesorë të zhvillimit në Bankën e Shqipërisë është modernizimi dhe siguria e teknologjisë së informacionit, duke përfshirë zgjerimin e funksionaliteteve  dhe  rritjen  e  qëndrueshmërisë së sistemeve. Në fokus gjithashtu mbetet optimizimi i infrastrukturës së rrjetit përmes teknologjive të reja për mbrojtjen e mjedisit dhe eficiencës në energji, dhe forcimi  i  sigurisë  përmes  përmirësimit  të  planeve  të  vijimësisë  dhe  reagimit  ndaj  rreziqeve kibernetike, mbështetur në standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira për mbrojtjen kibernetike”, tha ai.

Puna e BSH-së është e fokusuar në: Vendosja e standardeve rregullatore dhe ligjore për mbrojtjen e sistemeve,  për sigurinë e të dhënave personale dhe autentifikimin e përdoruesve; Auditimi i rregullt dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e sistemeve dhe masave të sigurisë së institucioneve financiare për të siguruar përputhjen me standardet dhe krijimi i bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare për të luftuar krimin kibernetik.

Ai theksoi se, sektori bankar përballet me një gamë të gjerë sfidash në fushën e sigurisë kibernetike që kërkojnë një kombinim të teknologjive moderne, planeve të detajuara të reagimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të stafit dhe klientëve për t’u mbrojtur në mënyrë efektive kundër kërcënimeve të ndryshme.

Guvenatori u shpreh se në ditët e sotme, institucionet financiare po bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërsa përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike, ndaj siguria në këtë fushë duhet të trajtohet kurdoherë si një çështje e nivelit të lartë, ndërfunksionale dhe që prek gjithë sistemin e një vendi./ata