Administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Erald Elezi mori pjesë në “Energy Week Western Balkans 2024”, një ndër forumet më të rëndësishme për energjinë në rajon, ku mblidhen vendimmarrës, rregullatorë dhe ekspertë për të diskutuar të ardhmen e energjisë së rinovueshme.
Fokusi i këtij forumi ishte tek sfidat e integrimit të burimeve të rinovueshme në rrjetin energjetik, qëndrueshmërinë dhe modernizimin e infrastrukturës, si dhe bashkëpunimin rajonal për të përshpejtuar tranzicionin energjetik.
Në fjalën e tij, administratori Elezi theksoi se KESH është i përkushtuar për të garantuar sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të gjelbër.
Një raporti i Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian (EUROSTAT) renditi pak muaj më parë, të tretën Shqipërinë, pas Suedisë dhe Finlandës për konsumin e energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme duke lënë pas të gjitha vendet e tjera të BE.
Në raport evidentohet se konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme për vitin 2022 në Shqipëri rezultoi në 44%.
Në tremujorin e parë të këtij viti energjia e prodhuar nga hidrocentralet private, koncesionare dhe prodhuesit fotovoltaikë tejkaloi atë të prodhuar në HEC-et publike.
Të dhënat e INSTAT treguan se hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2024, prodhuan 1.162 GWh nga 1.614 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2023, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 28.1 %.
Hidrocentralet private dhe koncesionare, prodhuan 1.246 GWh nga 1.156 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 7.8 %.
Prodhimi i energjisë nga fotovoltaiket llogaritet në tremujorin e parë të këtij viti 70, 140 MWh nga 16,515 MWH që ishte në të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Përdorimi i energjisë së rinovueshme ka shumë përfitime, duke përfshirë një reduktim të emetimeve të gazeve serrë, diversifikimin e furnizimeve me energji dhe një reduktim të varësisë nga tregjet e karburanteve fosile (nafta dhe gazi).
Burimet e rinovueshme të energjisë përfshijnë energjinë e erës, energjinë diellore (termike, fotovoltaike dhe të përqendruar), energjinë hidrike, energjinë baticore, energjinë gjeotermale, nxehtësinë e ambientit të kapur nga pompat e nxehtësisë, biokarburantet dhe pjesën e rinovueshme të mbetjeve./ata