Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau mbrëmjen e sotme përmes rrjetit social Facebook momente nga edicioni i parë i “Muzak’ Fest,” një ngjarje magjike që u zhvillua në qytetin historik të Apolonisë.
“Një mbrëmje e cila përqafoi historinë e Apolonisë dhe frymëzoi zemrat e të pranishmëve. Edicioni i parë i Muzak’Fest”, solli në qytetin antik hijerëndë të Apolonisë harmoni mbresëlënëse të artit dhe kulturës. Mes monumenteve që dëshmojnë histori, muzika dhe poezia u bënë një, duke shënuar fillimin e një tradite të re kulturore, dedikuar trashëgimisë”, shkruan Gonxhja.
Edhe Bashkia Fier ndau foto nga nata magjike e “Muzak’Fest”. Bashkia Fier e promovon këtë ngjarje si një destinacion të rëndësishëm kulturor, duke i ftuar të gjithë që të vizitojnë dhe të përjetojnë bukuritë e këtij qyteti të lashtë./ata