Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen që bën të mundur hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se “hapja e kësaj dege në Tiranë që do të jetë i treti pas Bryzhit dhe Natolinit , jo vetëm shënon një partneritet strategjik të Shqipërisë dhe institucioneve evropiane, por nga ana tjetër i hap mundësinë studentëve dhe profesorëve të Shqipërisë, por edhe të rinjve të Ballkanit Perëndimor për të studiuar në Tiranë në degën e Kolegjit të Evropës”.

“Dega e Kolegjit të Evropës në Tiranë do t’i hapë studimet për ciklin e studimeve në 2-2024-2025. Qeveria shqiptare është e angazhuar që nëpërmjet kësaj marrëveshje të iniciojë gjithashtu të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me ndërtimin e kampusit të Kolegjit të Evropës dhe gjithashtu angazhohet të financojë deri në 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “kjo është një ngjarje historike, për herë të parë një filial i një kolegji prestigjioz hap degën e tij në Shqipëri jo vetëm për çfarë do të sjellë ky kolegj në aspektin akademik në Shqipëri në funksion të vizionit tonë për ndërkombëtarizmin e arsimit të lartë dhe për vijimin e programeve tona sa i përket hapjes së filialeve, të degëve të universiteteve prestigjioze”.

Sipas saj, hapja e këtij kolegji është një oportunitet i madh për profesionistët në Shqipëri, por edhe për ata të rajonit e më gjerë.

“Aplikimet sa i takon ciklit të studimeve janë realizuar, rektorja Mogherni i ka shpallur pak muaj më parë pranimet në ciklin e studimit. Ne jemi të angazhuar sa i përket realizimit që kanë të bëjnë me procedurat e funksionit të këtij kolegji dhe në aspektin akademik, por edhe si një lajm për prioritetet që i kemi vendosur vetes për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë kjo është një shëmbëlltyrë e këtij vizioni që ne tashmë e kemi konkretizuar me këtë projekt dhe me hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”, tha Manastirliu./aa