Në qytetin e Durrësit është hapur një minimuze i veçantë i quajtur  “Turistë të përgjuar” që rrëfen përmes ndërtimit, arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, që përjetoi Shqipëria dhe turistët e huaj që u lejuan ta vizitojnë atë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako vizituan nga afër këtë mini-muze.

“Peeping Tourist ose “Turistë të përgjuar” është  destinacioni më i ri turistik i Durrësit, një minimuze i cili evokon traditën e turizmit shqiptar në vitet e regjimit, i konceptuar brenda mureve të një shtëpie të vogël që tregon mënyrën e jetesës së atyre viteve”, tha Kumbaro.

Dy pedagoge dhe eksperte të turizmit, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku e kthyen banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e Durrësit në shtëpi-dëshmi të asaj kohe, deri në detaje.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “Bruna dhe Arjana, dy profesioniste të turizmit tregojnë se sa shumë interes ka nga të huajt, por edhe të rinjtë shqiptarë për të mësuar se si ishte Shqipëria e asaj kohe”.

Një nga elementet më domethënëse të kësaj ekspozite që rrëfen në çdo detaj të saj është dhe vendstrehimi nëntokësor, një dëshmi autentike e asaj kohe. Me rënien e sirenës së alarmit, ashtu si dikur, vizitorët nxitojnë të improvizojnë futjen në vendstrehim.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare të çmuar informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare./ata