Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán deklaroi sot se, Shqipëria është vërtet një vend, jo vetëm miqësor, por edhe shumë i rëndësishëm për Hungarinë.
Në një deklaratë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, në Budapest, Orban u shpreh se, në takimin mes tyre është diskutuar edhe për bashkëpunimin dypalësh.
“Shqipëria është vërtet një vend, jo vetëm miqësor, por edhe shumë i rëndësishëm për ne sepse luan një rol shumë të rëndësishëm në sektorë të ndryshëm”, u shpreh ai.
Orban u shpreh se, Hungaria dëshiron që firmat dhe kompanitë hungareze të kenë sukses dhe një reputacion të mirë në Shqipëri.
“Ne e shikojmë këtë jo vetëm sepse duam që firmat hungareze të jenë të suksesshme. Ne duam më shumë sesa kaq”, tha ai.
Ai u shpreh se, kompanitë hungareze po ecin shumë mirë edhe në tregun e telekomunikacionit.
“Kemi gjithashtu edhe një projekt shumë të madh me Shqipërinë. Shqipëria dhe Egjipti, pra Evropa dhe Egjipti do të lidhen me anën e një rrjeti të telekomunikacionit”, tha Orban.
Gjithashtu, shtoi Orban, “ne kemi lidhur rreth 50 qytete me Wizz Air-in dhe OTP-ja ka fituar edhe çmimin si banka më e mirë digjitale në Shqipëri. Kemi gjithashtu edhe faktin që edhe ujësjellësi i Budapestit luan tashmë një rol shumë të mirë edhe me homologun e vet në Tiranë”.
“Ramë dakord me kryeministrin që do të vijojmë bashkëpunimin tonë dypalësh dhe natyrisht që jemi më se të hapur që biznesmenët shqiptarë të bëhen pjesë e ekonomisë tonë. Dëshirojmë ta rrisim rolin tonë në modernizimin e ekonomisë së Shqipërisë”, tha Orban./ata