Nxënësit e shkollës “Musine Kokalari” mësojnë në kushte të reja dhe bashkëkohore, pas rindërtimit të saj nga Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e programit “EU4Schools”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP Shqipëri.

Në përurimin e shkollës morën pjesë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Shefi i Bashkëpunimit pranë BE, Hubert Perr, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP Albania, Monica Merino, si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se Kombinati është transformuar totalisht me një buqetë shkollash me standardet më të mira.

“Fakti që sot kemi shkolla si “Musine Kokalari”, “Myslym Keta”, që i kemi bërë me BE dhe miqtë e PNUD-it, kemi “Lasgush Poradecin”, “Betim Muçon”, krejt papritur i kanë zili edhe ish Blloku dhe qendra e Tiranës. Presim të nisim punë për shkollat “11 Janari” dhe “Petro Nini Luarasi”, të cilat vërtet janë në ish-Bllok, por janë ndërtuar herët, e sigurisht janë amortizuar”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se, “Kombinati ka shkolla shumë më të mira se qendra e Tiranës dhe mund të themi më të mirat në Republikë”. E vetmja aspiratë që kemi është të shohim rezultatet.

“Sa më lart të dali shkolla në rezultate, edhe BE, edhe miqtë e PNUD-it, edhe ne të bashkisë, edhe Ministria, thonë: Ia vlejti stresi, sherri, shamataja, ato debatet e vogla, cic-micet e politikës, kur shohim që fëmijët kanë rezultate spektakolare”, u shpreh Veliaj.

Shefi i Bashkëpunimit pranë Bashkimit Evropian në Shqipëri, Hubert Perr tha se është shumë i lumtur që po dorëzojnë një godinë të re për 750 fëmijët e shkollës “Musine Kokalari”. Ai vlerësoi partneritetin me qeverinë dhe bashkinë e Tiranës për realizimin e projektit.

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu për t’iu dhënë një shtëpi të re, fantastike, 750 fëmijëve që meritojnë të mirëpriten në një ndërtesë kaq të bukur, me standardet e Bashkimit Evropian. Kjo është pjesë e programit të BE-së “EU for schools” dhe unë dua të falënderoj partnerin tonë, UNDP-në, për punën fantastike që kanë bërë për të zbatuar këtë program, si edhe partneritetin me qeverinë shqiptare dhe bashkinë, që në këtë rast e bëtë këtë projekt realitet. Kjo është një nga 7 shkollat që kemi rindërtuar në Tiranë”, deklaroi Rupert.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e UNDP, Monica Merino theksoi se janë krenarë që dorëzojnë këto shkolla kaq të bukura dhe se kjo tregon menaxhimin domethënës të BE-së për gjeneratat e reja në Shqipëri.

“Ne jemi shumë krenarë që dorëzojmë këto shkolla kaq të bukura dhe mendoj se kjo tregon menaxhimin domethënës të BE-së për gjeneratat e reja në Shqipëri. Gjithashtu dua t’i shpreh mirënjohjen bashkisë së Tiranës, kryebashkiakut dhe ekipit të tij, sepse pa mbështetjen e tyre kjo shkollë nuk do të ishte mundësuar”, deklaroi Merino.

Shkolla “Musine Kokalari”, është një investim nga programi EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP. Me rindërtimin e kësaj shkolle nxënësit, fëmijët dhe mësuesit kanë lënë pas mësimin me dy turne dhe e kanë nisur vitin e ri shkollor në “shtëpinë e tyre” në mjedise tërësisht bashkëkohore dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor sikurse në vendet e Bashkimit Evropian./ata