Mbyllet me fitoren e vendasve 2-0 në Pragë, sfida mes Çekisë dhe Shqipërisë, ndeshje e vlefshme për Ligën B, Grupi 1 të Nations League.
Çekia nisi vrullshëm sfidën, duke shënuar që në minutën e 3′. Chory, i pambuluar në qendër të zonës merr një top dhe me të djathtën godet për ta çuar në rrjetë topin. Goli godet edhe psikologjikisht skuadrën kuqezi e cila gjatë minutave në vijim nuk gjen forcën për të sulmuar, por qëndron në mbrojtje, duke i rezistuar presionit të vendasve.
Rasti i parë për të besuarit e Silvinjos do të regjistrohej në minutën e 36′, kur Laçi tenton të gjej Asllanin në zonë, por portieri Kovar neutralizon harkimin.
Në pjesën e dytë ishte prapë Çekia që u shfaq agresive, duke shënuar dhe golin e dytë. Ishte sërish Chorý që u shërbye nga Coufal dhe dërgoi topin në rrjetë. Kombëtarja shqiptare edhe pse tentoi në disa raste të dilte në sulm, nuk vuri thuajse në asnjë moment në vështirësi kundërshtarët.
Sylvinho zgjodhi që t’i besojë skemës së tij të përhershme 4-3-3, me Strakoshën në portë, ndërsa para tij do të rreshtohen Mitaj, Kumbulla, Ismajli dhe Hysaj. Mesfusha do të përbëhet nga Asllani, Ramadani dhe Laçi, ndërsa Asani dhe Bajrami do të mbështesin Dakun në krye të sulmit, i cili është rikthyer me Kombëtaren pas dënimit që mori nga UEFA.
Rezultatet e javës së 3-të, Liga B, Grupi 1
Çeki-Shqipëri 2-0
Ukrainë-Gjeorgji 1-0
Klasifikimi: Liga B, Grupi 1
1. Gjeorgjia 6 pikë (6:2)
2. Çekia 6 pikë (6:4)
3. Shqipëria 3 pikë (2:4)
4. Ukraina 3 pikë (3:7)
/ata