Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi sot Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, ku paraqiti shtyllat mbi të cilat ndërtohet modeli i zhvillimit të qëndrueshëm si dhe disa prej objektivave sasiore që ajo synon.
Në takimin vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024, Kumbaro tha se “strategjia mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik”.
Sipas saj, dokumenti do të hidhet për konsultim publik në javën e ardhshme.
“Është një strategji jo thjesht si listë dëshirash, por me objektiva të përcaktuara sasiorë dhe cilësorë, që pas masave të ndërmarra në ato gjashtë shtylla, parashikojmë që në vitin 2030 të arrijmë; rritje me 138% të netëqëndrimeve; rritje me 4 herë të të ardhurave në buxhetin e shtetit nga formalizimi i mëtejshëm i sektorit të turizmit; rritje me 65% e numrit të të rinjve që do të vazhdojnë studimet e larta në një prej programeve dedikuar turizmit apo 26% rritje të qëndrimit mesatar të turistëve në Shqipëri”, tha Kumbaro.
Këto, vijoi Kumbaro, janë vetëm disa shifra nga ato që parashikon strategjia me synimin për t’i paraprirë tregut.
“Strategjia projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut që ka aset kryesor diellin dhe plazhet e Adriatikut, por ka gjithashtu laguna, thesare të trashëgimisë kulturore, evente lokale e festivale verore që janë kthyer në ambasdore të turizmit shqiptar për të rinjtë nga gjithë Evropa”, tha Kumbaro.
Duke folur për rajonin turistik verior, Kumbaro tha se “ky rajon zbulon potenciale të mëdha të turizmit malor, të mikpritjes, të një trashëgimie kulturore, shpirtërore e kulinare që po e kthejnë Pukën, Valbonën, Thethin, Bogën, , Vermoshin në superdestinacione, krahasuar me pak vite më parë, kur me të ftohtin e parë, këta fshatra izoloheshin, duke u ofruar të gjithëve mundësinë e shijimi të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, por edhe duke e shtrirë ofertën turistike – falë aksesit dhe infrastrukturës – edhe në Dibër, Kukës, Bulqizë apo Ulëz, ku po rikualifikojmë parkun natyror të Ulzës”.
Rajoni turistik i Tiranës, shtoi Kumbaro, e meriton të jetë një ndarje më vete për fizionominë që ka marrë Tirana si një hapësirë metropolitane ku sinkronizohet në çdo cep vetëm energji pozitive e rinore, duke kombinuar historinë me arkitekturën, turizmin e eventeve e konferencave me një trashëgimi të pasur të kulturës.
Ndërsa për rajonin turistik qendror, Kumbaro u shpreh se “ka parasysh gjithë pasuritë natyrore, objektet e trashëgimië kulturore si kështjellat, objektet e kultit, por edhe një pasuri të madhe të produkteve lokale dhe turizmit të gastronomisë, siç përfaqësohet shumë mirë nga qarku i Elbasanit me qytetin, me Belshin ekoturistik, me Gramshin e aseteve natyrore apo me festat e bukura të Librazhdit siç i kishim këtë vit”.
“Rajoni turistik jugor i brendshëm – dhe këtu do të ndalem – është një kuti thesaresh, me parqe kombëtare, site arkeologjike, muze, pazare karakteristike nga ai i Gjirokastrës tek pazari i Korçës me serenatat, me kalatë nga ajo e Ali Pashait në Tepelenë tek e Argjirosë në Gjirokastës apo e kalaja e Shanishasë në Libohovë”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se “janë vetëm disa nga synimet sasiore dhe standardet e zhvillimit të qëndrueshëm, që kjo strategji parashikon për vitin 2030, për të cilën, qysh në krye të fjalës theksova, se çdo projekt që nisim sot, nuk e shohim për 6 muaj apo një vit, por për destinacionin Shqipëria 2030, ku puna vazhdon çdo ditë”./ata