Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedist, Mirela Kumbaro u takuan sot me operatorë turistikë të Kavajës dhe Rrogozhinës.
Kumbaro theksoi se gjatë takimit u diskutua ecuria e sezonit turistik veror, si dhe u prezantua rregullorja e re e menaxhimit të plazheve që do të publikohet javën e ardhshme.
Sipas ministres Kumbaro, rregullorja e re vendos një raport më të drejtë mes interesit për më shumë hapësira publike dhe zhvillimit të sipërmarrjeve turistike.
Afro 8.3 milionë të huaj kanë ardhur në Shqipëri nga janari deri në shtator. Fluksi i lartë i të huajve këtë vit ka tejkaluar me gati 30% më shumë numrin e atyre të hyrë vjet, në të njëjtën periudhë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për periudhën janar-gusht peshën kryesore të turistëve e mbajnë shqiptarët nga Kosova me 2.5 milionë hyrje.
Grupi i dytë i vizitorëve të huaj është ai i italianëve, me rreth 658 mijë hyrje. Vendin e tretë e mbajnë vizitorët nga Maqedonia e Veriut me 510 mijë hyrje, ndërsa në vend të katërt janë turistët nga Greqia me 450 mijë hyrje./ata