Një konflikt i fortë fizik dhe me armë të ftohta ka ndodhur mesnatën e kaluar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku një shtetas tentoi të vriste me mjet të mprehtë, një 36-vjeçar.
Si rezultat i veprimeve policore autori i ngjarjes ka përfunduar në pranga dhe po kështu është ndaluar dhe mjeku i spitalit ku mori mjekim 36-vjeçari, për shpërdorim të detyrës.
Autori, i identifikuar si Anton Kasa, 65 vjeç, e ka qëlluar në qafë 36-vjeçarin, i cili rezulton me precedentë penalë.
Sipas burimeve zyrtare, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Haxhias”, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës një 36-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta operacionale dhe inteligjencës policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit Anton Kasa, 65 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Anton Kasa, mesnatën e djeshme, në lagjen “Haxhias”, në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin Denis Bardhi, 36 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se mjeku i rojes, në spitalin ku ka marr mjekim 36-vjeçari, nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit. Për këtë arsye Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij.
Urdhër ndalimi i Prokurorisë është ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të cilët kanë ndaluar mjekun roje në spitalin ku ka marrë mjekim 36-vjeçari, shtetasin Klidi Dodi, 32 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./BalkanWeb