Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur sot se gjatë sezonit turistik veror janë shënuar rekorde të paprekura më parë për sa i takon konsumit të energjisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e organizuar sot në përmbyllje të sezonit turistik veror, Balluku foli po ashtu edhe mbi sfidat me të cilat është përballur sistemi i transmetimit për të garantuar furnizim pa ndërprerje me energji elektrike.
“Nëse natën e Vitit të Ri konsumohet më shumë energji nga gjithë grupi i abonentëve familjarë dhe zakonisht ky limit shkon 22 milionë kilovatorë për ditë, dy javët e fundit të korrikut dhe dy javët e para të gushtit kanë shënuar 28 milionë kilovatorë në ditë. Një shifër e përditshme kjo që na ka vendosur në vështirësi, jo për shkak të sasive që duhet të ofronim, por për shkak të sasive të transmetimit”, tha Balluku.
Sipas saj, “kjo e vendosi në një situatë të vështirë Operatorin e Transmetimit, por sfida u kalua me sukses.
“Kemi pasur 1500 punonjës në dispozicion nga datat 1 maj dhe nga Operatori i Shpërndarjes është ulur në mënyrë të ndjeshme treguesi i ndërprerjeve në rrjet”, tha Balluku.
Balluku u ndal edhe te investimet në ujësjellës-kanalizime, ndërsa theksoi se “janë ndërtuar 8 ujësjellës të rinj dhe janë zbatuar 6 projekte për trajtimin e ujërave të ndotura, investime që ndikojnë në jetën e 210 mijë banorëve”./ata