Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut do të rritet edhe më tej. Javën e kaluar, Ministria e Financave njoftoi se është përgatitur një Strategji e re Fiskale e Shtetit për periudhën 2025-2029. Nga informacionet e disponueshme thuhet se pritshmëritë e autoriteteve janë që borxhi publik, me nivelin prej 66.4 për qind në vitin 2024, do të ulet në periudhën në vijim. Duke marrë parasysh se Prodhimi i Brendshëm në vitin 2023 ishte 13 miliardë euro, borxhi pritet të jetë 8 miliardë e 632 milionë euro, apo afër 9 miliardë euro.
Lufta kundër ekonomisë gri dhe rritja e arkëtimit të fondeve buxhetore, renditen si prioritete të shtetit. “Në vitet në vijim, borxhi do të ulet gradualisht si rezultat i konsolidimit gradual fiskal dhe në vitin 2029 do të jetë nën kufirin e përcaktuar prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, theksohet në strategjinë fiskale.
Ministria e Financave shtoi se do të përcaktohet një kufi i garancive të lëshuara dhe prioritet do të jenë projektet e vetëqëndrueshme dhe ato gjenerojnë të ardhura, mbështesin rritjen ekonomike dhe mundësojnë konkurrencë më të madhe të ekonomisë vendase në periudhën afatmesme.
Qeveria ka një plan për konsolidimin financiar të financave publike dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor. Nga ana tjetër, shteti duhet të kthejë 2.87 miliardë euro në tre vitet e ardhshme, për të shlyer borxhin e marrë në emër të katër eurobondeve.
Në periudhën 2025-2028 do të maturohen eurobonot e emetuara, gjë që mund të krijojë pasiguri në eficencën e shërbimit të borxhit për shkak të rritjes së nevojave financuese të shtetit, thuhet në analizën e Entit të Revizionit apo Auditimit.
Revizioni më tej thekson se Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk tregon nevojat reale bruto për financimin e shtetit, gjë që çon në zvogëlimin e transparencës dhe paraqitjen jo të plotë të të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhet./Scan