Referuar të dhënave të Buletinit Mujor të Komisionit të Prokurimeve Publike, në periudhën 8 mujore janar- gusht të këtij viti, Operatorët Ekonomikë kanë adresuar gjithsej 748 ankesa ndaj procedurave tenderuese.

Por sa tarifa financiare ka arkëtuar Komisioni i Prokurimeve Publike ndaj Operatorëve Ekonomik?

Sipas të dhënave, në periudhën 8 mujore KPP ka arkëtuar tarifa financiare si garanci për procedurat e prokurimit ndaj Operatorëve Ekonomikë, gjithsej rreth 91.5 milionë lekë. Ndërsa tarifa financiare të cilat janë kthyer Operatorëve Ekonomikë në përfundim të shqyrtimit të procedurave të prokurimit janë gjithsej rreth 81.1 milionë lekë për 8 muaj.

Por sa para’ do të depozitohen në Buxhetin e Shtetit?

Sipas Buletinit, për periudhën Janar-Gusht të këtij viti, gjithsej janë rreth 22.6 milionë lekë tarifa financiare për t’u derdhur në Buxhetin e Shtetit në përfundim të shqyrtimit të procedurave të prokurimit.

Ndërkohë qeveria shqiptare ka ndryshuar afatet e ankimimit për të gjithë operatorët ekonomikë të cilët marrin pjesë në procedura prokurimi. Tashmë, subjektet do të mund të ankohen pranë KPP brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit nga institucioni shtetëror për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar, dhe brenda 10 ditëve për procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar. Ankesat deri më tani mund të bëheshin brenda 5 ditëve./Scan