Është çelur panairi “FOOD & FEST” ku një numër i madh kompanish prodhuese dhe importuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, po ekspozojnë dhe promovojnë produktet e tyre për konsumatorët. Festa më e madhe e biznesit shqipfolës që organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, pritet të zgjasë deri të dielën.
Zëvendësministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Dhimitër Kote, theksoi se në kushtet kur sektori bujqësor po rritet, deri në fund të vitit 2025 fermerët do të mbështeten nga skema direkte e investimeve në bujqësi.
“Vetë skema mbështetëse që është sivjet për investimet në bujqësi, është një skemë që shkon te këta fermerë me 15 mln euro për të mbështetur ata që ndërtojnë sera, me 50% grant, për të mbështetur ata që ndërtojnë rrjeta për të mbrojtur produktet bujqësore.”
Nga ana tjetër, Kryetari i Aleancës së Biznesit në Kosovë, Agim Shahini, bëri thirrje që të konsumohen produktet vendase, sepse kjo është ndihma më e madhe që konsumatorët mund t’i japin bizneseve.
“Ekonomia kombëtare në Kosovë dhe Shqipëri vuan nga moskonsumimi i produkteve të brendshme, ndaj shfrytëzoj rastin këtu, të bëj thirrje që të gjithë konsumatorët kudo që janë dhe kudo që na dëgjojnë, të konsumojnë produkte kombëtare, 100% shqip.”
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, u ndal në rëndësinë që ka ky panair për të gjithë fermerët dhe bizneset që marrin pjesë.
“Te jenë të gatshëm që sot, jo vetëm të shesin produktet e tyre, por të mundësojnë edhe lidhjen e kontratave për të mundësuar eksportin e këtyre produkteve nga Shqipëria, për të bindur këta turistë, sepse turisti është ambasadori më i mirë.”
Me qëllim mbështetjen e fermerëve, Bashkia Tiranë do të rrisë buxhetin e saj për bujqësinë u shpreh Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Keti Luarasi.
“Këtë vit, në planet tona strategjike, bujqësia do të ketë një buxhet të shtuar. Po punojmë, kemi bërë gati për të prezantuar në Këshillin Bashkiak politikën e ushqimit në Tiranë.”
Sipas saj, agroturizmi do të jetë një objektiv strategjik dhe një pikë shumë e rëndësishme në buxhetin e Bashkisë Tiranë./Scan