Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga qasja në financim dhe asistencë teknike për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e transportit në katër kategoritë: Siguria hekurudhore; rrugore; Pikat e Kalimit Kufitar dhe Vendosja e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të zgjuara të lëvizshmërisë.
Programi për Transport të Sigurt e të Qendrueshëm (SSTP) i Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe Komunitetit të Transportit ka hapur thirrjen e dytë për propozime nga ministritë përkatëse, agjencitë qeveritare dhe ndërmarrjet publike për projekte në fushën e sigurisë hekurudhore e rrugore, pikave të kalimit kufitar dhe zgjidhjeve të reja për lëvizshmërinë.
Programi për Transport të Qendrueshëm dhe të Sigurt (SSTP) i financuar nga BE dhe Banka Botërore, mbështet iniciativa si përmirësimet e sigurisë rrugore, infrastrukturën alternative të karburantit dhe sistemet inteligjente të transportit. Ai synon uljen e kohës së udhëtimit, rritjen e sigurisë, ndotjen më të ulët, përmirësimin e aksesit në treg, rritjen e tregtisë, krijimin e vendeve të punës dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.
BB bën të ditur se, programi lehtëson rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, gjelbërimin e transportit, integrimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas BB-së, aplikimet për grantet SSTP janë të hapura deri më 1 dhjetor 2024. Operacionet e granteve të SSTP miratohen dhe mbikëqyren nga Banka Botërore në konsultim me Grupin Teknik./ata