Zbatimi i rregullave të reja preferenciale Pan-Euro-Mesdhetare të Origjinës dhe rekomandimit në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike lehtëson tregtinë drejt vendeve të tjera dhe përmirëson ato që quhen rregullat e kumulimit, një proces që u lejon produkteve të ndryshme që janë krijuar në vende të ndryshme të marrin rregullin e origjinës nga një vend specifik dhe të përfitojnë nga kuotat preferenciale që ky vend ka.

Këto dy dokumente u miratuan në takimin e Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale PEM, të datës 7 dhjetor 2023, që u mbajt në Bruksel, ndërsa u ratifikuan edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se është krijuar një set rregullash të uniformizuara për origjinën e mallrave, të cilat njihen nga të gjitha vendet.

“Ndryshimet në konventën rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediterrane të Origjinës dhe përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike i bëjnë rregullat e rishikuara të origjinës preferenciale më të thjeshta, më fleksibël dhe mundësojnë kumulimin bilateral, diagonal dhe të plotë të origjinës”, tha ai.

Ministri po ashtu shtoi se kto rregulla lehtësojnë tregtinë ndërkombëtare dhe mundësojnë rritjen e eksporteve.

Gonxhja solli në vëmendje se kalimi nga certifikatat hard copy, në ato elektronike ul kostot dhe rrit shpejtësinë e verifikimit.

“Lehtësojnë procedurat doganore dhe sigurojnë një sistem të sigurt verifikimi. Këto ndryshime përfaqësojnë një hap të mëtejshëm të tregtisë drejt modernizimit të tregtisë dhe krijimit të mundësive për rritjen e eksporteve shqiptare”, tha ai./ata