Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, në një intervistë në media, bëri të ditur se qeveria ka një strategji për punësimin e cila orienton të gjitha zhvillimet në sektorin e punësimit dhe të arsimit profesional.
Sipas saj, arsimi profesional shihet si një trampolinë për t’u orientuar në mënyrë të shpejtë dhe me një investim minimal 2-4 vjet për t’u integruar më pas në tregun e punës.

“Në këtë strategji që shoqërohet dhe me një plan veprimi ka një masë prioritare për ndërtimin e sistemit të inteligjencës së aftësive që prodhon informacion mbi zhvillimet e tregut të punës dhe zhvillimet në arsimin dhe formimin profesional”, tha Manjani.

Manjani bëri të ditur se po bashkohen shkollat e arsimit profesional me qendrat e formimit profesional për të krijuar disa kampuse të arsimit profesional, të cilat do të ofrojnë arsimin profesional, sipas sistemit 2+1+1 dhe kurset e formimit profesional afatshkurtra që janë shumë të kërkuara në tregun e punës.

Sipas saj, është ndërtuar një platformë që ka disa module për mbledhjen, analizën e informacionit dhe më pas përdorimin e këtij informacioni për të bërë parashikime për tregun e punës.

“Një nga modulet është ndërlidhja e sistemeve të brendshme të informacioneve për tregun e punës. Kjo për të kryqëzuar informacionin për të bërë analiza në kohë reale dhe për të bërë projeksione në lidhje me aftësitë që do të kërkojë tregu i punës në periudhë afatmesme apo afatgjatë. Një modul tjetër është vlerësimi i nevojave për aftësi që do të bëhet në 2024 dhe do të mbledhë informacione përmes vrojtimeve nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë për të kuptuar cilat janë ato boshllëqe në lidhje me kërkesën për aftësi duke u bazuar në vendet e lira të punës. Një tjetër modul që është arritur përmes një marrëveshjeje me kompanitë më të rëndësishme në vend, është qendërzimi i informacionit për shpalljen e vendeve të lira të punës”, tha zv/ministrja Manjani.

Sipas saj, është rënë dakord që edhe kompanitë private t’i publikojnë ato në një faqe që është faqe publike puna.gov.al, në mënyrë që i gjithë ky informacion të jetë i qendërzuar dhe të shërbejë për të kuptuar nevojën për aftësi, por edhe për ta përdorur këtë informacion për projeksione në të ardhmen.

“Për të plotësuar këtë kornizë të furnizimit me informacion, në lidhje me nevojat që ka tregu i punës për aftësi, janë krijuar edhe komitetet sektoriale mbi bazën e prioriteve të qeverisë, si në fushën e mikpritjes. Në përbërje të këtyre komiteteve janë përfaqësues të punëdhënësve, punëmarrësve, shoqatave të biznesit, institucioneve shtetërore, ministrive të linjës si dhe institucioneve për hartimin e përditësimin e kurrikulave”, deklaroi Manjani.

Sot qeveria realizon gjurmimin në nivel kombëtar të të diplomuarve e certifikuarve në arsim dhe formim profesional, duke vlerësuar cilësinë e arsimit e formimit profesional, për të mundësuar lidhjen e aftësive me kërkesat e tregut të punës.

Sipas Manjanit, 6 në 10 nxënës të arsimit profesional punësohen para diplomimit, ndërsa në Shqipëri funksionojnë 35 shkolla profesionale në të gjithë vendin./ata