Trupa e Baletit të Teatrit Shtetëror të Varnës solli para artdashësve të shumtë të Durrësit “Bukuroshen e fjetur”, baletin me muzikë të Çajkovskit, bazuar në një përrallë me princër, princesha e magji.
Baleti klasik “Bukuroshja e fjetur” u shfaq në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Performanca e balerinëve bullgarë elektrizoi sallën përmes lëvizjeve plot elegancë. Shfaqja ishte si një dhuratë për qytetin bregdetar dhe një mënyrë për të promovuar artin e bukur të baletit dhe muzikës klasike.
Kjo shfaqje nuk ishte vetëm një interpretim artistik, por një rikthim në magjinë e fëmijërisë, ku të gjithë mund të besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të ëndrrave të bukura.
Më herët e njëjta shfaqje u ngjit edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë. Triumfi i dashurisë mbi të keqen tërhoqi vëmendjen e publikut besnik të operës, duke i shitur biletat në kohë rekord.
Bashkëpunimi i TKOB me Teatrin e Varnës, ka nisur që në vitin 2023 dhe ka rezultuar me shkëmbime të suksesshme artistësh dhe produksionesh./ata